Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet e Serbia, të cilët dyshohet se u arrestuan për shkak të mbajtjes së simboleve kombëtare shqiptare.
Në një deklaratë zyrtare, institucioni bën me dije se po e ndjek rastin me vëmendje të plotë përmes Ambasadës shqiptare në Beograd, e cila ka kërkuar informacion të detajuar mbi rrethanat e ndalimit dhe garantimin e të drejtave të shtetasve.
Sipas reagimit, Shqipëria pret që autoritetet serbe të veprojnë në përputhje me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe procedurat ligjore për çdo qytetar.
Ambasada shqiptare ka nisur menjëherë kontaktet me institucionet përkatëse në Serbi dhe po ofron asistencë konsullore për të ndaluarit, përfshirë komunikimin me familjarët dhe sigurimin e përfaqësimit ligjor.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë deklaruar se arrestimi lidhet me dyshimet për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare”, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku katër shtetasit udhëtonin me automjet duke shfaqur simbole kombëtare shqiptare.
Rasti mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet shqiptare kanë theksuar se do ta ndjekin me seriozitet maksimal çdo hap të mëtejshëm.


