Gjykata Supreme e Venezuelës ka vendosur që zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez të marrë përkohësisht drejtimin e vendit, duke ushtruar të gjitha kompetencat e presidentit, pas shpalljes së paaftësisë së përkohshme të Nicolas Maduro për të kryer detyrën.
Vendimi u bë publik pas një vlerësimi zyrtar, ku gjykata arriti në përfundimin se Maduro ndodhet në një gjendje “paaftësie të konsiderueshme dhe të përkohshme” për ushtrimin e funksioneve presidenciale.
Sipas urdhrit, Rodríguez do të veprojë si presidente në detyrë, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe autoritetin që i takojnë kreut të shtetit, me qëllim garantimin e vazhdimësisë institucionale dhe stabilitetit administrativ të Venezuelës.
Gjykata thekson se vendimi mbështetet në Kushtetutën e vendit, e cila parashikon se në rast të mungesës së përkohshme apo të plotë të presidentit, detyrat e tij i kalojnë zëvendëspresidentit, deri në zgjidhjen e situatës.


