Në prag të meshës që do të mbahet sonte në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Arjan Dodaj, ka dhënë një mesazh për besimtarët, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë dhe përgjegjësisë në shoqëri.
Imzot Dodaj u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të kuptojnë se ndryshimi fillon nga secili individ. “Vdekja nuk e ka më fjalën e fundit… ndryshimi është i mundur dhe fillon nga zemra e njeriut”, tha ai.
Në fjalën e tij, Dodaj u ndal edhe tek fenomenet që prekin shoqërinë shqiptare, si emigracioni dhe indiferenca, duke theksuar se e ardhmja e vendit nuk duhet pritur nga jashtë. Ai bëri apel që përgjegjësia për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë është e secilit: “Jo, kjo para së gjithash është një përgjegjësi e secilit prej nesh. Të qenit shqiptar nuk është çështje slogani apo propagande, por trashëgimi që na shpërcjell ndër shekuj dhe borxh që kemi ndaj brezave të rinj.”
Mesazhi i tij shkon edhe për politikanët dhe institucionet, duke kërkuar më shumë ndershmëri dhe përkushtim në drejtimin e vendit: “Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me veprime konkrete. Ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe menjanimin si diçka normale.”


