Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë ndaj një grupi të akuzuarish për vepra të rënda penale, ku ndër ta, Gjergj Cukali u dënua përfundimisht me 25 vite burg. Ai akuzohet për vendosjen e eksplozivit në makinën e biznesmenit Gjon Mena dhe është i njohur për lidhjet e tij me Emiljano Shullazin.
Vendimi u shpall më 9 korrik 2025 nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi.
Ndërkohë, një prej të pandehurve, me inicialet E.J., përfitoi ulje dënimi në sajë të statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u dënua përfundimisht me 7 vite burg.
Gjithashtu, Blendi Deda u shpall fajtor për tentativë vrasjeje me dashje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ndaj shtetasit A.B. Ai u dënua me 18 vite burg, me bashkim dënimesh.
Gjykata e Apelit përcaktoi që shpenzimet gjyqësore të mbulohen nga të pandehurit, ndërsa palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.


