Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar sot vendimin e mëparshëm të shkallës së parë të GJKKO-së, duke mos pranuar ankimimin e ish-kryebashkiakut të Himarës dhe eurodeputetit Fredi Beleri për hapjen e hetimeve ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj.
Beleri kishte kërkuar që të rishikohej vendimi i datës 27 dhjetor 2024 i Prokurorisë së Posaçme, i cili kishte vendosur mosfillimin e hetimeve për një kallëzim penal të bërë prej tij. Në këtë kallëzim, Xhaçka dhe bashkëshorti i saj akuzoheshin për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash në bashkëpunim.
Fillimisht, më 28 shkurt 2025, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte urdhëruar regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e hetimeve. Por ky vendim u apelua dhe sot Apeli vendosi të shfuqizojë urdhrin e mëparshëm dhe të rrëzojë përfundimisht kërkesën e Belerit.
“Në përfundim, Apeli vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të shkallës së parë dhe rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B. (Fredi Beleri), duke mos pranuar kërkesën për regjistrimin e procedimit penal dhe hetimin e çështjes në fjalë”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.
Ky vendim mbyll përkohësisht përpjekjet e Belerit për të çuar përpara një hetim penal ndaj ish-ministres së Jashtme të Shqipërisë, në një kohë kur çështja ka qenë objekt diskutimi edhe në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.


