Katër shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi të krimit të organizuar të përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen në shkallë të gjerë të kanabisit, janë dënuar me mbi 11 vite burg në total, pasi hetimet zbuluan se rrjeti kishte siguruar mbi 500 mijë paund fitime përgjatë viteve 2023–2025.
Sipas Policisë së Essex-it, grupi drejtohej nga vëllezërit Sefedin dhe Eldi Tafa, të cilët kontrollonin plantacionet e kanabisit dhe siguronin ambientet dhe pajisjet e nevojshme për kultivim. Në organizim dhe shpërndarje ndihmonte Servet Dobrushi, ndërsa Asterjo Sata dhe Reols Havalja mbikëqyrnin kultivimet dhe shpërndanin lëndën narkotike dhe fitimet në zona të ndryshme të vendit.
Hetimi nisi më 30 gusht 2023, kur policia zbuloi një plantacion kanabisi në Aragon Close, Southend. Në ambientet e kontrolluara u gjetën 446 bimë kanabisi, 5 mijë paund cash dhe një portofol me patentën e shoferit në emër të Eldi Tafës. Një ditar i sekuestruar përmbante emra si “Alberti”, “Sefi” dhe “Olsi”, nofka që hetuesit i lidhën me anëtarët e grupit.
Në vijim të operacionit, në fillim të vitit 2024 u arrestua Sefedin Tafa në Westcliff. Në automjetin e tij u sekuestruan 1,400 paund dhe një video që tregonte një tjetër plantacion kanabisi. Kontrollet në banesa të tjera çuan në zbulimin e mbi 27 mijë paundëve, rreth 50 gramë kanabis dhe 10 kilogramë kanabis në Caerphilly, Uells.
Në qershor 2024, policia arrestoi Asterjo Satën gjatë një udhëtimi nga Brighton drejt Southend-it. Në makinën e tij u gjetën mbi 34 mijë paund, një armë dhe dy telefona celularë. Gjatë kontrollit të banesës së tij u zbuluan sende luksoze dhe veshje të shtrenjta. Hetimet çuan gjithashtu në zbulimin e një plantacioni të sofistikuar në Rochford Avenue, Westcliff, me vlerë rreth 35,550 paund.
Pas përfundimit të hetimeve, të pandehurit pranuan akuzat dhe u dënuan nga gjykata britanike. Sefedin Tafa u dënua me 4 vjet e gjysmë burg, Asterjo Sata me 32 muaj, Reols Havalja me 23 muaj dhe Servet Dobrushi me 27 muaj burg.
Ndërkohë, Eldi Tafa vijon të jetë në arrati jashtë Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa autoritetet britanike kanë shpallur kërkim ndërkombëtar për arrestimin e tij.


