SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka kaluar për gjykim çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe 28 personave të tjerë të përfshirë, një vit pas arrestimit të tij.
Në studion e Top Story, analisti Arion Sulo deklaroi se ka pasur tejkalim të afateve të paraburgimit dhe kompetencave nga ana e prokurorisë, ndërsa Veliaj ende nuk është njohur me dosjen. Sulo theksoi gjithashtu se kryebashkiaku është aktualisht pa avokat dhe nuk ka akses në të dhënat e plotë të dosjes.
“Gjykata ka tejkaluar kohën e paraburgimit dhe afatet ligjore. Veliaj nuk është njohur me dosjen, kjo është skandaloze. Nuk ka një kompjuter për të parë 60 mijë faqet e dosjes dhe audiot e fundit tregojnë tejkalim të kompetencave nga avokatët. Ka kaluar një vit që nga arrestimi dhe çështja kaloi sot për gjykim. Disa të pandehur kanë kaluar afatet ligjore, po mbahen ende për shkak të Veliajt. Këtu ka probleme edhe të SPAK-ut edhe të GJKKO-së”, tha Sulo.
Ai shtoi se Veliaj ka mësuar nga shembulli i kryeministrit Rama dhe se dalja e tij në gjykatë mund të ketë për qëllim mbrojtjen juridike, pavarësisht se ai vazhdon të jetë në paraburgim.


