Demokrati dhe mjeku i njohur Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Off the Record”, komentoi kabinetin e ri qeveritar dhe zgjedhjet që pritet të mbahen për Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, ndryshimet në qeveri nuk sjellin asnjë risi, pasi vendimmarrja është e centralizuar tek kryeministri Edi Rama.
“Pak rëndësi ka kush emër është ministër, Rama i komandon të gjitha. Edhe zëvendësit i ka nën kontroll. Me ligjin e ri, firmat i vendosin drejtorët. Pamë që askush nuk dinte asgjë. Gjysma e ministrave as nuk e dinin ku ishin. Ky është një format ‘bëje mirë, bëje vetë’”, u shpreh Alimehmeti.
I pyetur për mundësinë që të jetë kandidati i opozitës përballë Ogerta Manastirliut, të shpallur nga Rama për Bashkinë e Tiranës, ai u tregua i rezervuar:
“Kemi një situatë kur kryeministri e la Tiranën në ilegjitimitet, duke mos shkarkuar një kryetar bashkie që përfundoi në burg. Sot papritur vendosi ta shkarkojë. Çfarë ndryshoi? Asnjë akuzë e re, askush nga jashtë nuk erdhi. Pra, ishte një vendim politik. Edhe ne do të diskutojmë në forumet tona. Unë nuk flas asgjë para se të diskutoj në shtëpi. Besoj se edhe Berisha ndan të njëjtin qëndrim: fillimisht diskutohet brenda, pastaj del qëndrimi publik. Unë nuk punoj për lajme”, tha ai.

