Në seancën e sotme gjyqësore të zhvilluar në sajë të dosjes “Plumbi i Artë”, Erion Alibej rrëfeu njohjen me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani, si dhe pak nga jeta e tij personale.
Në fjalën e tij Alibej burimet bëjnë me dije se ai ka rrëfyer mënyrën se si iu bashkua botës së krimit, sa i përket trafikimit të lëndëve narkotike.
Mes sakrificash familjare dhe dy djem që u rritën pa përkrahjen e babait për shkak se e humbën në një moshë të re, Alibej tha se ai kujdesej për mamanë dhe nuk kishte lidhje me drogën para shumë vitesh.
Më tej ai shtoi se vëllai i tij, Endrit Dylgjeri (Alibej) ka qenë i përfshirë në vepritmari të tilla kriminale.
Alibej: Babai më ka lënë të vogël. Kemi qenë familje e respektuar në qytet. Vëllai fillimisht emigroi në Greqi, më vonë në Itali. Gjatë kësaj kohe ai është marra me veprimtari të jashtëligjshme, trafik droge. Unë jam kujdesur për nënën dhe nuk jam përfshirë. Nga 2006-2010 vëllai është marrë me trafik. Në 2010 emigroi në Holandë dhe derisa ndërroi jetë ishte me dokumente holandeze. Në vijimësi, vëllai, Endrit Dylgjeri (Alibej) është marrë me trafik droge. Në 2010 unë shkova në Itali të merrja disa ilaçe për nënën. Vëllai kërkohej nga policia italiane. Ditën e fundit që do kthehesha, më arrestoi policia. U bë një proces dhe u dënova 3 vjet e 4 muaj sikur isha pjesëtar i grupit, edhe pse nuk isha. Në 2012 u lirova. Endriti më dërgoi një vajzë, që më mori me makinë dhe shkuam në Roterdam, Holandë. Ditën që i shkova në shtëpi, aty gjeta edhe Hajdar Çopjen. E njihnim si elbasanlli. I them Endritit, po ky. Sa ka ardhur, më tha, do e ndihmoj sa të gjejë një shtëpi. Endriti kishte shumë njohje e lidhje në Holandë për trafikun e drogës. Të gjithë donin të punonin me të. Ai punonte me Anglinë, me Italinë, me Belgjikën. Të gjithë ia kishin nevojën.


