Një alarm ka mbërritur së fundmi për policinë boshnjake.
Është mësuar se Milorad Dodik ka kaluar kufirin drejt Serbisë edhe pse ndaj tij u lëshuan mandate arresti.
Kujtojmë se një gjykatë vendase urdhëroi paraburgimin e lëshoi një urdhër arresti për liderin e Republikës Srpska si dhe për kryeministrin e këtij entiteti, Radovan Vishkovic dhe presidentin e Parlamentit, Nenad Stevandic.
Ata përfunduan nën lupën e drejtësisë për shkak se refuzuan t’i përgjigjen thirrjeve për t`u marrë në pyetje nga Prokuria.
Fletë-arresti, që është aktualisht i vlefshëm për territorin e Bosnje-Hercegovinës, i detyron të gjitha agjencitë policore në vend që të arrestojnë Dodikun, Vishkovicin dhe Stevandicin në momentin e parë që ndeshen me ta dhe t’ia dorëzojnë policisë gjyqësore.
Kjo vlen edhe për policinë kufitare, pjesëtarët e së cilës gjejnë dhe ndalojnë pothuajse çdo ditë persona për të cilët janë lëshuar urdhërarrest nga disa gjykata të vendit gjatë kontrolleve të rregullta të kalimit kufitar.
E ndonëse ndaj tij u lëshua urdhër-arresti, Dodik disi arriti të kalonte kufirin pa pengesa të hënën dhe të paraqitej në Beograd, ku u shfaq në krah të Aleksandar Vuçicit në një tubim qeveritar.

