Pas disa ditësh shqetësimi në kampin kuqezi, vjen lajmi i shumëpritur: Rey Manaj është rikthyer në stërvitje me Kombëtaren shqiptare.
Sulmuesi shqiptar kishte përfunduar në spital për shkak të një helmimi që e la jashtë fushave për tre ditë, duke shfaqur temperaturë të lartë dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Situata e tij kishte ngritur alarmin te stafi dhe trajneri Sylvinho, duke rritur pasiguritë për gatishmërinë e lojtarit.
Megjithatë, duket se gjithçka është lënë pas. Pasditen e sotme, Manaj është bashkuar sërish me grupin dhe është parë duke u stërvitur normalisht me pjesën tjetër të skuadrës, një sinjal i qartë se është gati të japë kontributin e tij në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares.
Ky rikthim është një lajm i mirë për trajnerin dhe tifozët kuqezinj, të cilët shpresojnë ta shohin Manajn në formë të plotë në fushën e lojës.


