Fenomeni i rënies drastike të numrit të nxënësve ndjehet fort në zonat rurale, ku boshatisja e fshatrave ka sjellë edhe boshatisjen e shkollave.
Në pesë fshatra të Njësisë Administrative Shupenzë – Zogje, Kovashicë, Shtushaj, Mazhicë dhe Bllacë, këtë vit shkollor (2025–2026) është regjistruar vetëm një fëmijë në klasë të parë.
Fëmijët e këtyre fshatrave ndjekin mësimin në shkollën 9-vjeçare “Man Jella” në Zogje, ku sot janë vetëm 32 nxënës, ndërsa dikur numri i tyre arrinte në rreth 500. Për shkak të pakësimit, mësimi zhvillohet në klasa kolektive.
Banorët thonë se braktisja e fshatrave është tragjedia më e madhe që po kalon vendi. “Dikur kishim qindra nxënës, sot mezi mblidhen disa klasa. Largimi masiv ka shkatërruar jo vetëm jetën në fshat, por edhe shkollat”, shprehet Artan Zeneli nga Kovashica.


