Një tjetër tragjedi hekurudhore ka goditur Spanjën, vetëm dy ditë pas aksidentit fatal në Andaluzí. Këtë herë, një tren i linjës Rodalies ka dalë nga shinat në rajonin e Katalonjës, duke shkaktuar vdekjen e shoferit dhe plagosjen e të paktën 14 pasagjerëve.
Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi të martën mbrëma gjatë udhëtimit mes Gelidës dhe Sant Sadurní, kur treni u përplas me një mur mbajtës që ishte shembur mbi shina. Përplasja e fortë bëri që vagonët të dilnin nga shinat, duke bllokuar disa pasagjerë brenda trenit.
Në vendngjarje u dërguan 11 ambulanca dhe 35 ekipe zjarrfikësish, ndërsa shërbimet emergjente po vlerësojnë gjendjen shëndetësore të të plagosurve. Disa prej tyre janë transportuar në spitale për trajtim të specializuar.
Aksidenti ndodhi në një moment kur stuhi të fuqishme po përfshinin veriun e Spanjës, përfshirë Katalonjën. Autoritetet kanë shpallur alarm edhe në zonat bregdetare dhe veriperëndimore, ndërsa reshjet e dëborës dhe moti ekstrem kanë goditur Pirenejtë dhe Menorkën, me dallgë që kanë arritur disa metra lartësi.
Ky incident vjen vetëm dy ditë pas përplasjes tragjike të dy trenave me shpejtësi të lartë në Adamuz të Andaluzisë, ku humbën jetën 42 persona, duke rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë e transportit hekurudhor në vend.
Autoritetet katalanase po vijojnë hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa familjarëve të viktimës dhe të plagosurve u është ofruar mbështetje emergjente.


