Pas Kroacisë, Bosnja dhe Hercegovina ngriti alarmin për pjeshkat e eksportuara nga Shqipëria, pasi analizat treguan praninë e pesticidit të ndaluar klorpirifos. Agjencia e Sigurisë Ushqimore e Bosnjës njoftoi se konsumi i këtyre pjeshkave, veçanërisht nga fëmijët, përbën një rrezik të lartë shëndetësor.
Pjeshkat, të klasifikuara si Klas II, viti 2025, u eksportuan nga kompania ZHAKU METUSHI, Suk 1, Strum dhe importohen nga Sejo prom doo, Sarajevë. Analizat treguan se niveli i klorpirifosit tejkalon ndjeshëm dozën akute të referencës, duke e bërë produktin të pasigurt për konsum.
Agjencia theksoi se klorpirifosi nuk është substancë e lejuar për përdorim në fitofarmaceutikë në Bosnje, duke e bërë prezencën e tij në pjeshkat shqiptare një shkelje të rregulloreve të sigurisë ushqimore. Të gjitha informacionet janë dorëzuar tek organet kompetente për veprime të mëtejshme inspektimi.


