Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun kirurg Nikolla Nunka, i cili akuzohet për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth dy orë. Gjatë shqyrtimit të çështjes, Prokuroria paraqiti provat që, sipas saj, implikojnë mjekun dhe mbështesin dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e veprës penale.
Organi i akuzës kërkoi që, për shkak të moshës së të dyshuarit, ndaj tij të caktohej masa “arrest në shtëpi”, si edhe të konsiderohej i ligjshëm arrestimi në flagrancë. Këto kërkesa u pranuan nga gjykata.
Nga ana tjetër, kirurgu Nikolla Nunka ka mohuar akuzat ndaj tij, si gjatë seancës gjyqësore, ashtu edhe më herët gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit.
Mjeku u arrestua tre ditë më parë pas kallëzimit të bërë nga pacientja 21-vjeçare, e cila e akuzon për ngacmim seksual.


