Është finalizuar ekstradimi nga Italia në Shqipëri i shtetasit shqiptar Klajdi Murrizi, 31 vjeç, i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma.
Murrizi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila në vitin 2024 e deklaroi fajtor për “Prodhim dhe shitje narkotikësh, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, duke e dënuar me 6 vite burg.
Ngjarja lidhet me një episod të vitit 2022, kur Murrizi, gjatë tentativës për t’i dorëzuar një sasi lënde narkotike një personi tjetër, u pikas nga Policia. Ai braktisi lëndën narkotike dhe u largua me shpejtësi me një automjet me targa të huaja, duke mos iu bindur urdhrave për të ndaluar në një pikë kontrolli të ngritur pranë Divjakës.
Pas ekstradimit, Klajdi Murrizi iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vuajtjen e dënimit.


