Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur kthimin e një ngarkese prej 51 tonë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike konfirmuan prani të aflatoksinës B1, një toksinë e dëmshme që mund të rrezikojë shëndetin e kafshëve dhe të konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, mostrat u morën nga dy ngarkesa me misër për ushqim kafshësh të importuara nga Serbia. Njëra ngarkesë u kthye menjëherë në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar dhe do të dërgohet për asgjësim.
Autoriteti thekson se të gjitha produktet ushqimore të importuara në Shqipëri i nënshtrohen kontrolleve rigoroze laboratorike, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. AKU siguron opinionin publik se nuk do të tolerojë produkte që paraqesin rrezik për shëndetin.


