Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër ka ndaluar 75 tonë misër të importuar nga Serbia në doganën e Hanit të Hotit, duke shtuar kontrollin mbi sigurinë e ushqimit në vend. Ngarkesa është bllokuar për të kryer analizat laboratorike, në një veprim që synon të parandalojë futjen e produkteve me nivele të larta të aflatoksinës B1, një substancë toksike dhe kancerogjene që mund të tejkalojë normat e lejuara në Shqipëri.
Vetëm pak ditë më parë, AKU kishte ndaluar 25 tonë misër nga i njëjti eksportues, duke e çuar në 100 tonë sasinë totale të bllokuar deri më tani.
Sipas njoftimit të AKU Shkodër, përveç doganës, autoritetet kanë bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, e cila rezultoi se furnizohej me misër blegtoral nga ky subjekt.
Nëse analizat laboratorike konfirmojnë prani të substancave të ndaluara, këto mallra nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar, duke ruajtur standardet e sigurisë ushqimore për konsumatorët.


