Një aksident rrugor i rëndë ka ndodhur në Rumani, ku një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK Selanik u përfshi në një përplasje fatale pranë qytetit Lugoj, teksa udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në Europa League.
Në mjet ndodheshin edhe dy shqiptarë, Genci Sadiku dhe Vasil Palo, gjendja e të cilëve ende nuk është konfirmuar. Fatkeqësisht, 7 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur. Të gjithë udhëtarët ishin të moshës 25–30 vjeç.
Sipas autoriteteve rumune, aksidenti ndodhi kur furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë viktima humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhynin për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.
Ndërkohë, klubi PAOK ka shpallur zi dhe ka bërë të ditur se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave të pajetë dhe ndihmën për të plagosurit.
Kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga UEFA, e cila ka vendosur që takimi të zhvillohet sipas kalendarit të planifikuar.


