Një aksident rrugor me tre të plagosur u regjistrua sot rreth orës 15:10 në aksin Fier–Patos, ku u përplasën një automjet policie dhe një automjet tip “Benz” që po udhëtonin në korsi të kundërta.
Si pasojë e përplasjes, dy efektivë të Komisariatit të Fierit kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar menjëherë në spital për të marrë trajtim mjekësor. Në spital ndodhet edhe drejtuesja e automjetit tjetër, e cila ka pësuar dëmtime nga goditja.
Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se reshjet e dendura të shiut, që vijojnë prej mbrëmjes së djeshme, kanë ulur dukshmërinë dhe mund të kenë ndikuar në incident. Hetimet për përcaktimin e shkakut dhe dinamikës së plotë të ngjarjes po vijojnë.


