Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Mbreshtan–Pashalli, në zonën e njohur si “Rezervuari” në Berat. Një mjet tip xhip–kamionçinë me targa AA 488 EK ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar nga një lartësi në shtratin e përruas.
Nga aksidenti janë plagosur drejtuesi i mjetit, Kastriot Çuka, 59 vjeç, si edhe tre pasagjerët që udhëtonin me të. Të lënduarit janë nxjerrë nga automjeti me ndihmën e forcave të policisë dhe më pas janë transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po marrin trajtim mjekësor.
Sipas policisë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Pamjet nga vendi i aksidentit tregojnë se rruga është e amortizuar, me mungesë ndriçimi dhe kthesa të forta, çka dyshohet se mund të ketë kontribuar në humbjen e kontrollit të mjetit.


