Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin Sarandë–Skërficë, pranë fshatit Senicë, në Njësinë Administrative Vergo, bashkia Delvinë.
Sipas policisë, një automjet tip “Toyota”, me drejtues shtetasin Alton Zhuli, 50 vjeç, është përmbysur në rrugë pasi shoferi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat kryen veprimet procedurale dhe verifikimet e nevojshme. Testi i alkoolit ndaj drejtuesit të mjetit rezultoi negativ, duke përjashtuar konsumimin e alkoolit si shkak të mundshëm të aksidentit.
Sipas burimeve paraprake, lagështira në rrugë ose një defekt teknik në automjet mund të kenë qenë shkak i humbjes së kontrollit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.


