Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e së enjtes në aksin Prrenjas–Librazhd, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet në një nga segmentet më problematike të zonës.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, ku sipas burimeve nga vendngjarja, përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar plagosjen e rëndë të dy personave që udhëtonin me motoçikletë.
Në motorçikletë ndodheshin dy adoleshentë, drejtuesi dhe pasagjeri, të cilët pas përplasjes kanë mbetur të plagosur rëndë dhe kanë pësuar fraktura të shumta në trup.
Të dy të rinjtë janë identifikuar si banues në Hotolisht dhe Polis.
Menjëherë pas aksidentit, ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët kanë vendosur transferimin e tyre të menjëhershëm në Spitali Universitar i Traumës për trajtim më të specializuar.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa nuk janë bërë ende të ditura detaje të tjera mbi dinamikën e përplasjes.


