Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e së hënës në aksin Shupenzë–Ura e Topojanit, në zonën e njohur si Boçevë, në Bulqizë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, mes tyre një furgon, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se njëri prej automjeteve ka përfunduar jashtë rruge, duke mbetur i varur në një pemë pas përplasjes së fortë.
Aksidenti është konstatuar fillimisht nga drejtues të tjerë mjetesh që kalonin në zonë, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës dhe policinë.
Njëri prej të lënduarve është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa personi tjetër po merr trajtim në spitalin e Bulqizës.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.


