Një person ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti hekurudhor në Mynih, ku një tren mallrash doli nga shinat dhe dy prej vagonëve të tij ranë nga një urë gjatë natës.
Sipas autoriteteve gjermane, dy vagona u shkëputën nga treni dhe përfunduan në një rrugë rreth pesë metra më poshtë, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të emergjencës në zonë.
Policia bëri të ditur se, deri më tani, nuk dihet çfarë ngarkese transportonte treni, por është konfirmuar se nuk bëhet fjalë për materiale të rrezikshme dhe nuk ka rrezik për banorët përreth.
Shkaqet e daljes nga shinat mbeten ende të paqarta dhe hetimet kanë nisur për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Autoritetet paralajmëruan se operacioni për largimin e vagonëve të rrëzuar mund të zgjasë disa ditë, ndërsa një pjesë e rrugëve në zonë pritet të mbetet e mbyllur deri të dielën.
Sipas kompanisë hekurudhore gjermane Deutsche Bahn, incidenti ka ndodhur në një segment të dedikuar për trenat e mallrave dhe nuk pritet të ndikojë në trafikun e trenave të pasagjerëve.
Ekipet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje për sigurimin e zonës dhe rikthimin gradual të normalitetit në qarkullim.
Güterzug-Waggons stürzen in München von Brücke: Person lebensgefährlich verletzt. https://t.co/X9QIKzC0c5
— TAG24 NEWS Deutschland (@TAG24) June 20, 2026


