Ditën e djeshme Ilir Meta reagoi nga qelia pasi SPAK mori vendimin për të dhe ish-gruan e tij.
Nëpërmjet një telefonate të realizuar nga gazetarët, Ilir Meta shfaqi mirëkupim për çdo person që ndërron parti apo interesa politike. Mirëpo ai kërkoi që SPAK-u të bëjë hetime të paanshme.
“Natyrisht, personi i parë që duhej pyetur quhet Adrian Shtaku, i cili ka qenë prezantuesi i këtyre kompanive me LSI dhe ka mbajtur lidhjet me to. Ky është një shqiptaro-amerikan-dibran, shumë i njohur për prokurorët e SPAK-ut, por çuditërisht i papyetur se paska tre vjet që nuk paska ardhur në Shqipëri. Çudi pse? Personi i dytë besoj që duhej pyetur është Z. Eriol Braimllari, i cili në dijeninë time ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespondencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si Drejtor Kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjet e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo”
Kërkesa e Metës ndaj SPAK përfshiu dhe Endrit Brahimllarin, ish-nënkryetarin e Partisë së Lirisë, i cili pasi u përjashtua nga PL iu bashkua PS në zgjedhjet e 11 majit.
“Kushëriri i tij i parë, Z. Endrit Braimllari, është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka pasur për detyrë të ndjekë zbatimin e tyre, duke qenë përgjegjës edhe për organizimin dhe për financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri në SPAK si përfaqësues i PL (LSI), doli si “rilindas” i Edi Ramës dhe, siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë”, shkroi Meta.
I kontaktuar nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu pas këtyre akuzave të Ilir Metës, Endrit Brahimllari u shpreh: “Kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023. Nuk komentoj çështje që i takojnë drejtësisë. Emri i Endrit Braimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë”.


