Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj mënyrës se si Partia Demokratike shpalli Florian Binajn si kandidat për kryetar të Bashkisë Tiranë, duke e konsideruar procesin jo serioz dhe të paqartë.
Shehaj thekson se opozita duhej të zgjidhte kandidatin më të mirë përmes një sondazhi transparent dhe jo në mënyrë të njëanshme. Ai sqaroi se nuk kishte pasur asnjë kontakt me Sali Berishën dhe se përpjekjet për të dalë me një kandidat të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare u ndërprenë kur PD shpalli kandidatin pa konsultime me partitë e tjera.
“Qëllimi ynë nuk ishte të impononim emrin e kandidatit, por të zgjidhnim kandidatin e duhur,” tha Shehaj, duke shtuar se vetëm përmes një sondazhi mund të konfirmohet se kandidati i zgjedhur është më i miri. Ai theksoi se tani nuk ka kuptim të vazhdojnë diskutimet, pasi PD ka shpallur kandidatin zyrtarisht.
Shehaj përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e një procesi transparent për zgjedhjen e kandidatit më të mirë, duke vlerësuar se kjo praktikë është standardi i ndjekur nga partitë perëndimore.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Berishën. Është kërkuar pasi është shpallur kandidati. E merrni me mend vetë, se sa serioze është një takim pasi Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht me një kandidat.
Komunikimin nuk e ndërpremë ne. Komunikimin, le të themi, përpjekjet tona për të dalë me një kandidatë, të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare, mbaroi momentin kur kryetari i Partisë Demokratike ka dalë vetëm me një kandidatë. Ky është kandidati që ne do mbështesim. Tani nuk ka kuptim që ne të vazhdojmë të diskutojmë, se nuk mund të pretendojmë që Partia Demokratike, të ndërrojë mendim dhe të thotë ‘jo tani do vazhdojmë me këtë kandidat’.
E përsëris edhe njëherë, qëllimi ynë, e kemi thënë që ditën e parë, nuk ishte që ne të impononin emrin. Nuk na interesonte emri. Ne na interesonte që të kishim një proces që të kishim kandidatin më të mirë, për t’i dhënë Tiranës një kryetar bashkie të pakorruptuar. Kjo ka vetëm një mënyrë për t’u bërë, siç bëjnë të gjitha partitë perëndimore, kur duan të zgjedhin kandidatin më të mirë, është të bësh një sondazh. Vetëm nëpërmjet sondazhi je i sigurt që kandidati që ti po nxjerr është më i miri.
Ne nuk mund ta dimë. Ne nuk mund ta bëjmë me hamendje, nëse ky është më i miri ose nëse ai tjetri është më i keqi”, deklaroi Shehaj.


