Aeroporti Ndërkombëtar i Brukselit është mbyllur përkohësisht mbrëmjen e së martës, pasi një dron u pa duke fluturuar mbi zonën e aeroportit, raportoi gazeta Le Soir.
Autoritetet belge të trafikut ajror, Skeyes, njoftuan se operacionet u pezulluan “për arsye sigurie”, ndërsa fluturimi i fundit u nis në orën 19:37 dhe i fundit u ul në 19:46.
Për pasojë, disa avionë që udhëtonin drejt Brukselit u devijuan drejt aeroportit të Liezhit. Incidenti është i fundit në një sërë rastesh të ngjashme në Evropën veriore, ku dronët kanë ndërprerë trafikun ajror për shkak të rrezikut që paraqesin për sigurinë e fluturimeve.


