Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Ukraina lëshon mbi 200 dronë në Rusi, godet disa rajone. Kundërsulmon Moska, 4 të vdekur në 24 orë

    Zgjedhjet e anëtarëve të KLGJ, Gjykata e Lartë shpall listën e kandidatëve. Përcakohet data (EMRAT)

    Kundërshtoi pezullimin e afateve të paraburgimit, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Veliajt

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Botë

    A mundet Irani të vendosë tarifa ndaj kompanive të teknologjisë për kabllot nënujore në Hormuz?  

    May 12, 2026

    Irani ka insistuar për javë të tëra se ka të drejtë të vendosë tarifa ndaj anijeve ndërkombëtare që kalojnë transit nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç detare pranë brigjeve të Republikës Islamike.

    Tani, dy agjenci të lajmeve të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë publikuar propozime që i bëjnë thirrje Teheranit që të procedojë me vendosjen e tarifave ndaj firmave globale të teknologjisë që operojnë kabllot nënujore me fibra optike që gjenden në ngushticën ujore që lidh Gjirin Persik me detin e hapur.

    Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, që Teherani në mënyrë efektive e ka mbyllur që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën fushatën ajrore më 28 shkurt, mbetet një nga pengesat kryesore për përfundimin e luftës. Teherani pretendon se ka sovranitet mbi këtë rrugë strategjike ujore, pretendim që kundërshtohet nga komuniteti ndërkombëtar.

    Kabllot nën Hormuz

    Ekspertët thonë se propozimet që Irani të kërkojë pagesa për kabllot nënujore që kalojnë nën ngushticë janë më shumë një kërcënim sesa një plan i zbatueshëm.

    “Rreziku i këputjes së kabllove nënujore nga armiqësitë gjithmonë ka ekzistuar, por një kërcënim i hapur nga një shtet si Irani e shton urgjencën”, tha për Radion Evropa e Lirë, Isik Mater, drejtoreshë e hulumtimeve në grupin me seli në Londër për monitorimin e internetit, NetBlocks.

    Kabllot nënujore kryesisht janë në pronësi dhe operohen nga kompani ndërkombëtare të teknologjisë sikurse Google, Meta, Microsoft dhe Amazon. Këto kabllo bartin transaksione SWIFT, trafik dhe të dhëna të përgjithshme të internetit mes Azisë, Evropës dhe Gjirit Persik.

    Nëse kabllot nënujore që kalojnë nëpër Hormuz do të këputeshin, ndikimi për njerëzit e zakonshëm në mbarë Azinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën do të ishte i menjëhershëm dhe i madh.

    Shërbimet e transmetimit online do të ndërpriteshin ose do të dështonin plotësisht. Aplikacionet e mesazheve do të ngadalësoheshin ose të dilnin krejtësisht jashtë funksionit. Thirrjet me video do të ndërpriteshin. Shërbimet bankare online dhe pagesat me karta bankare do të ndërpriteshin. Shërbimet e internetit – nga e-mailet e deri te pajisjet e tjera që përdoren në vendet e punës – do të degradoheshin.

    Ofruesit e internetit do të mund ta ridrejtonin trafikun përmes kabllove të mbetura funksionale ose satelitëve, por kapaciteti është i kufizuar, çka do të nënkuptonte shpejtësi më të ulët për të gjithë, edhe aty ku lidhja do të vazhdonte të ekzistonte. Riparimet zakonisht zgjasin javë, e ndonjëherë edhe muaj.

    Cili është propozimi?

    Agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Fars argumentuan se Irani duhet jo vetëm të përfitojë financiarisht, por edhe të ushtrojë sovranitet mbi rrjetin e kabllove nënujore që përshkojnë ngushticën.

    Baza ligjore e këtyre propozimeve mbështetet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për ligjin e detit (UNCLOS), të cilën Irani e ka nënshkruar, por kurrë nuk e ka ratifikuar.

    Duke iu referuar nenit 34 të kësaj konvente, agjencia Tasnim argumentoi se të drejtat e kalimit transit për anijet nuk i zbehin të drejtat sovrane të Iranit mbi shtratin e detit. Në pikën më të ngushtë të kësaj rruge detare, pretendimet për ujërat territoriale të Iranit dhe Omanit mbivendosen plotësisht, çka do të thotë se kabllot fizikisht ndodhen në territorin që Irani pretendon se i përket.

    Ndërtimi i kabllove në atë zonë pa autorizim, pretendoi Tasnim, përbën “pushtim të tokës iraniane nën ujë” dhe kërkon si licencim, ashtu edhe pagesa tarifore.

    Modeli i të ardhurave është marrë pjesërisht nga Egjipti, për të cilin Tasnim pretendoi se fiton qindra miliona dollarë në vit nga kabllot nënujore që kalojnë përmes Kanalit të Suezit.

    Tasnim dhe Fars argumentuan po ashtu se Irani duhet t’i detyrojë gjigantët e teknologjisë që të operojnë zyrtarisht sipas ligjeve iraniane dhe të bashkëpunojnë me kompani iraniane të teknologjisë. Fars e përshkroi qëllimin në mënyrë të qartë si shndërrimin e kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit në një “mjet të fuqisë digjitale”, ku kompanitë iraniane do të kontrollonin mirëmbajtjen dhe riparimin e kabllove.

    A qëndron ky argument?

    Ekspertët thonë se argumentet ligjore të paraqitura nga agjencitë iraniane të lajmeve kanë dobësi të konsiderueshme.

    Megjithëse shtetet bregdetare ruajnë sovranitetin mbi shtratin e detit të territorit të tyre, Tasnim në artikullin e saj e injoron Nenin 79 të UNCLOS-it, që mbron në mënyrë të qartë të drejtën e ofruesve globalë të internetit për të ndërtuar dhe mirëmbajtur kabllo nënujore.

    Mater nga NetBlocks tha se krahasimi me Egjiptin “ka peshë të kufizuar”, sepse Kajroja “licencon kalimin dhe pikat e zbarkimit në territorin e vet, dhe këto marrëveshje janë bërë në mënyrë vullnetare”.

    “Në të kundërtën, pozicioni i Iranit është më i brishtë dhe megjithëse ka kontroll mbi ujërat e tij territoriale, ai nuk zotëron një pjesë të konsiderueshme të këtyre rrugëve”, shtoi ajo.

    Mater tha se “shenja më alarmuese” e këtyre propozimeve është kërkesa që kompanitë ndërkombëtare të teknologjisë të detyrohen të operojnë zyrtarisht sipas ligjeve iraniane dhe të bashkëpunojnë me kompani iraniane të teknologjisë.

    Sipas ligjit iranian, “komunikimet zakonisht kontrollohen dhe monitorohen, edhe pa marrë parasysh sanksionet dhe pengesat gjeopolitike”, tha ajo.

    “Kjo bën që kërkesa e Iranit të duket më shumë si një tarifë ‘mbrojtëse’ e ngjashme me atë që kanë bërë me cisternat, dhe larg çdo lloj marrëveshjeje konvencionale për licencimin e transitit që zakonisht shohim në industri”, tha Mater.

    Përpara se SHBA-ja të vendoste një bllokadë detare në Ngushticën e Hormuzit në mes të muajit prill, Irani u kërkonte anijeve tregtare deri në 2 milionë dollarë për të kaluar nëpër ngushticë, megjithëse pak anije po kalonin. Trafiku detar në ngushticë është ndalur pothuajse plotësisht që nga barrikada amerikane.

    Irani ka një histori të vendosjes së kufizimeve të ashpra mbi përdorimin e internetit. Autoritetet kanë në fuqi një bllokadë të internetit që nga 28 shkurti dhe kanë refuzuar të rikthejnë qasjen që kur armëpushimi hyri në fuqi më 8 prill.

    “Autoritetet iraniane nuk kanë hezituar të ndërpresin lidhjen e qytetarëve të tyre me internetin dhe mund të përpiqen të ndërpresin edhe lidhjet e jashtme nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen”, tha Isik Mater nga NetBlocks.

    “Megjithëse kabllot ndërkombëtare nuk janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Iranit, sabotimi përmes spirancave të anijeve ose ekipeve të zhytësve do të ishte brenda kapaciteteve të tyre në ngushticë”, shtoi ajo./REL

    Hormuz Irani
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Ukraina lëshon mbi 200 dronë në Rusi, godet disa rajone. Kundërsulmon Moska, 4 të vdekur në 24 orë

    July 21, 2026

    Zgjedhjet e anëtarëve të KLGJ, Gjykata e Lartë shpall listën e kandidatëve. Përcakohet data (EMRAT)

    July 21, 2026

    Kundërshtoi pezullimin e afateve të paraburgimit, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Veliajt

    July 21, 2026

    Ministri Nufi: Samiti i NATO-s në Tiranë, besim për Shqipërinë! Prioritet investimet në mbrojtje! Brenda vitit, 3 avionë zjarrfikës

    July 21, 2026
    Mos e humb
    Fokus June 22, 2026

    “Daily Express”: Shqipëria, surpriza turistike që po rivalizon destinacionet e njohura mesdhetare. Philipp Plein vjen në Tiranë

    Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun britanik të turizmit, duke u…

    Një “eurodeputete nordike” në Kuvendin e Shqipërisë

    Kampionë të lirisë

    Starton të hënën “Pjaca në Radar” me Alfred Pezën

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi/ Parashikimi i yjeve për ditën e sotme, 21 Korrik 2026

    Horoskopi/ Parashikimi i yjeve për ditën e sotme, 20 Korrik 206

    Nga 19 korriku gjithçka ndryshon! Këto 3 shenja të Horoskopit hyjnë në periudhën më të artë

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.