Pavarësisht tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme dhe sulmeve ndaj centraleve bërthamore në Iran, autoritetet shqiptare sigurojnë se nuk ka asnjë rrezik radioaktiv për vendin tonë. Eksperti për mbrojtjen nga rrezatimi në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Dr. Rustem Paci, deklaroi se situata është nën kontroll dhe nuk ka shenja të rritjes së nivelit të rrezatimit.
“Deri më tani nuk ka të dhëna për ndonjë nivel të rritur të radioaktivitetit as në vetë Iranin. Jemi në kontakt të përhershëm me rrjetet ndërkombëtare të monitorimit. Shqipëria disponon 10 pika monitorimi, të cilat dërgojnë të dhëna çdo 10 minuta mbi çdo ndryshim të mundshëm të radioaktivitetit”, sqaroi Dr. Paci.
Ai shtoi se Shqipëria ka të përgatitur edhe një plan të detajuar mbrojtjeje në rast emergjencash radiologjike, që parashikon masa mbrojtëse për popullsinë, varësisht nga niveli i rrezatimit. Ky plan përfshin vendstrehime, udhëzime për qytetarët dhe angazhimin e ekipeve të emergjencës menjëherë pas çdo sinjalizimi të rrezikut.
Shqipëria, si pjesë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), është e angazhuar në respektimin e standardeve ndërkombëtare për sigurinë bërthamore dhe ka detyrime për të ndjekur protokollet e gatishmërisë në rast incidentesh bërthamore në rajon apo më gjerë.


