Melania Trump, modele sllovene rikthehet sot si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara. Ajo u quajt nga prindërit e saj Melanija Knavs. Melania ka lindur më 26 prill 1970 në Novo Mesto, Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.
Melania Knavs ishte megjithatë e interesuar për modën, kujton ish-shoqja e saj e shkollës, Mirjana Jelancic.
“Asaj i pëlqente gjithashtu të krijonte veshje të reja nga ato të vjetra”, thotë zonja Jelancic.
Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara.
“Si një modele mode dhe dikush që ftohej shpesh në festat luksoze në Nju Jork, me sa kuptoj kështu u takua me Donald Trump-in”, thotë profesorja e historisë Katherine Jellison, nga Universiteti i Ohajos.
Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.
Jeta e Melania Trump-it mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale.
Si zonja e parë, Melania Trump mbajti një profil më të ulët se shumë zonja të para, por u përball megjithatë me një vëmendje intensive nga mediat, vëren profesorja Jellison.
“U kritikua nga disa qarqe për zgjedhjet e saj të modës, për vendimin e saj për të mos u zhvendosur menjëherë në Shtëpinë e Bardhë, për fushatën e saj ‘Bëhu më i miri’, që nuk ishte një nga projektet më të suksesshme të shërbimit publik nga një zonjë e parë”, thotë profesorja Jellison, shkruan VOA.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump praktikisht u largua nga sytë e publikut.
Ajo u rishfaq herë pas here për të mbështetur kandidaturën e bashkëshortit të saj për rizgjedhje. Dhe për të reklamuar librin e saj me kujtime.


