Një shtetase shqiptare e cila ishte nisur drejt Italisë ka humbur fëmijën e saj si pasojë e një aborti spontan teksa ishte duke udhëtuar me traget këtë të hënë, 6 janar.
Burimet bëjnë me dije se autoritetet mësuan për një situatë emergjente mjekësore në tragetin “Af Marina,” i cili ishte nisur nga Porti i Durrësit në orën 13:00 drejt Barit.
Rreth orës 15:50, Kapiteneria e Portit të Durrësit mori një njoftim për një rast urgjent të një shtetaseje shqiptare që kishte pësuar një abort spontan gjatë udhëtimit.
“Pasi u vlerësua situata, Kapiteneria urdhëroi menjëherë kthimin e tragetit në radë për të mundësuar ndihmën e nevojshme mjekësore. Rimorkiatori “Joni” u vendos në gatishmëri për të transportuar shtetasen Jolanda T. drejt portit, ndërsa në bashkëpunim me autoritetet portuale, një ambulancë e Autoritetit Portual Durrës (APD) u përgatit për ta transportuar atë në spital.
Operacioni u zhvillua në mënyrë të koordinuar dhe pa vonesa. Në orën 17:15, pacientja u imbarkua në rimorkiatorin “Joni,” i cili pritet të mbërrijë në port në orën 18:00. Menjëherë ajo do të transferohet në ambulancën e gatshme në terminalin e pasagjerëve për t’u nisur për në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm”, thuhet në njoftim.


