Nga data 1 Janar hyri në fuqi rregullorja e re që përcakton shumën që çdo drejtues mjeti duhet të paguajë për siguracionin e makinës.
Ekspertët shprehin rezerva për këtë rregullore sepse, të paktën në këtë vit të parë, një shofer korrekt gjatë drejtimit të makinës, nuk është përfitues, duke ia zbritur çmimin që duhet të paguajë për siguracionin.
“Në rregullore thuhet që viti i parë do të jetë viti zero, pra nuk do të ketë as bonus, as malus. Këtë vit, nga aq informacione sa kemi, nuk do të ketë ulje të primit të sigurimit dhe do të aplikohen faktorët e tjerë, që janë rrethi, qyteti, vjetërsia, eksperienca e drejtuesit dhe fuqia motorike. Të gjithë ata që kanë pasur një historik dëmesh të mëhershëm kanë mundësinë të mos bëjnë më dëme. Historiku i dëmeve ka qenë, është prej vitesh, nuk e di pse u caktua viti zero”, tha eksperti i tregut të sigurimeve, Erald Hysa.
Si vit i parë, sipas ekspertëve, një zbritje në çmim mund të përfitojnë një kategori e vogël drejtuesish që kanë mjet me fuqi motorike të ulët dhe që jetojnë në qytete, ku ka më pak banorë dhe më pak makina në përdorim.
“Me një përllogaritje, mjetet me fuqi motorike të ulët, 1.6, rrethi, Dibra, Kukësi dhe Berati, ku përfshihen afërsisht 40 mijë mjete, do të kenë ulje”, sqaron më tej Hysa.
Sipas ekspertëve, për këtë rregullore të re mungoi ndërgjegjësimi që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të kishte bërë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të kuptonin si llogaritet çmimi i ri i primit të sigurimit


