Pas shumë personave të njohur, reagimi i radhës për gjendjen e Parashqevi Simakut ka ardhur nga aktorja shqiptare Egla Ceno.
Përmes një reagimi të bërë në rrjet aktorja e vuri theksin te mënyra se si njerëzit shpesh zgjedhin keqardhjen për të dobëtit.
Sipas Eglës, më mirë është të përballesh me urrejtjen sesa me keqardhjen, pasi kjo e fundit është më shkatërruese.
“Rasti i Parashqevisë ma përforcoi këtë mendim: Më mirë të të urrejnë se të ndiejnë keqardhje për ty! Urrejtja të paktën të gudulis egon dhe të bën të reagosh. Keqardhja të lëndon, të mpin! Ta shkërmoq edhe atë pak dinjitet që të mban akoma në këmbë.”
Egla thekson gjithashtu se urrejtja shpesh buron nga pasiguritë e vetë atyre që urrejnë, të cilët shohin te tjetri diçka që ata vetë nuk mund ta arrijnë. Ndërsa keqardhja, sipas saj, është një realitet që rrënon krahët dhe forcën e një personi.
“Më mirë të urrejnë sepse urrejtjen e ndez “diçka” që i bën të ndihen humbës, leshko dhe të pavlerë përballë teje. Urrejtja ka të bëjë me problemet psiko-emocionale të vet urrejtësit, i cili shikon te ty atë që nuk mund të jetë dot kurrë vet. Ndërsa keqardhja të këput krahët sepse është e vërtetë.
Sa i përket “dashurisë” nga masa e rrjeteve sociale, faktet kanë treguar se të gjithë të duan kur je i papërfillshëm, kur nuk ke një qëndrim tëndin, kur rron për të patur konfirmimin e të tjerëve, kur je një butak ose kur je i vdekur,” ka shtuar ajo.


