Këta që shikoni në foto janë dy të rinj në Pogradec të cilët arritën t’i shpëtojnë jetën një 30-vjeçari, i cili nën efektin e lëndëve narkotike tentoi të hidhej nga dritarja e apartamentit në katin e gjashtë.
Ju kujtojmë se ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 të qytetit.
Skena dramatike u pikas nga dy të rinjtë të cilët po ktheheshin nga xhamia, e sapo sytë ju hasën një person që kacavirrej në ballkon vrapuan me shpejtësi për të parandaluar tragjedinë.
“Ka qenë rreth ora 2, para se të ishim në vendngjarje, ishim në xhami. U nisëm për në shtëpi, dhe rrugës pamë njerëz që po bërtisnin. Pamë që një i ri po tentonte të vetëvritej, kishte hipur në motorin e kondicionerit.Në momentet e para po i flisnim duke i thënë se nuk duhet ta bësh, pasi je ende i ri. Rreth katër minuta më vonë vijnë dy policë të cilët ishin njoftuar nga njerëz të tjerë. Dhe policët nisën t’i flisnim me fjalë të mira që mos t’i jepte fund jetës. U përpoqën ta mbanin disa minuta me fjalë të mira, por kur e panë që i riu nuk po vepronte atëherë një polic tentoi të ngjitej lart, por kur u kthye erdhi duarbosh. U ngjit prapë polici, prapë duarbosh erdhi”, rrëfeu i riu Ernest Dulellari.
“Kur hyra brenda pashë që personi po godiste mamanë e tij me bërryl me fytyrë dhe ajo për një moment e lëshoi. Në momentin kur mamaja e lëshoi unë u hodha drejt tij duke ia vënë dorën tek bluza dhe e tërhoqa përbrenda. Ndërkohë dhe unë po bërtisja për ndihmë, pasi ai tentonte vazhdimisht të shkonte drejt dritares dhe të hidhej”.
Eriku, i cili është vetëm 17 vjeç, tregon se personi që tentoi të hidhej nga lartësia, bërtiste dhe pretendonte se ndihej i padëshiruar në shoqëri dhe familje.
“Personi thoshte që ‘jam mërzitur nga fjalët e njerëzve, ata me tallin’. Pra ishte i bullizuar”, tha Erik Oshafi.


