Një krim në një familje shqiptare ka tronditur Greqinë. Një burrë i ka marrë jetën bashkëshortes së tij dhe e ka fshehur trupin e saj për një javë në papafingo.
Vetëm sot ai ka telefonuar vetë policinë duke i treguar për krimin që kishte kryer.
Sipas mediave greke, një 39-vjeçar shqiptar ka telefonuar pasditen e sotme policinë dhe ka denoncuar se të enjten e kaluar ka vrarë gruan e tij.
Sipas informacioneve, burri ka thënë se gruan e ka vrarë me çekiç dhe se e ka në papafingo të shtëpisë së tyre në Ampelokipi të Athinës.
Telefonata është bërë pak pas orës 18.00 me orën lokale, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar zyrtarë të policisë për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.
Sipas medive greke, policët sapo janë futur në banesë, kanë ndierë një aromë të keqe. Teksa në papafingo kanë gjetur çanta të zeza, ku dyshohet se është futur trupi i gruas.
39-vjeçari ka thënë se e ka vrarë duke e qëlluar me grushte dhe me çekiç, teksa fëmijët ishin në shkollë. Ai ka deklaruar se e ka bërë nga xhelozia. Gjatë gjithë këtyre ditëve, fëmijët lëviznin nëpër shtëpi pa e ditur se trupi i nënës ndodhej i fshehur aty.


