Pas ngjarjes së rëndë të vrasje së Martin Canit tek shkolla Fan Noli në kryeqytet, në takimet konsultuese me prindërit, kryeministri Edi Rama tha së fundmi se do të bëhet një sistem digjital te dera e shkollës, i cili do të sinjalizojë nëse dikush ka celularë me vete.
Ky sistem do të bëhet së pari te gjimnazi “Fan Noli”, pjesë e të cilit ka qenë i ndjeri Martin Cani.
Më tej, Rama ka theksuar se celulari nuk do t’u ndalohet vetëm nxënësve, por dhe mësuesve.
“Sa i përket celularëve, ne rregullin e kemi por zbatimi nuk është edhe aq i thjeshtë dhe jemi të vetëdijshëm që futen nëpër shkolla. Prandaj, sistemi që fola do të na ndihmojë shumë. Do të bëjmë një shembull të parë shpejt te Fan Noli simbolikisht për një kontroll digjital te dera. Jo kështu nga ato si në aeroport, por është një sistem që detekton direkt çdo lloj objekti celular, thikë, që ka në trup personi. Dhe kjo do të ulë në mënyrë të ndjeshme mundësinë që të futesh me celularë në shkollë. E treta, duhet të vendosim sanksionet sepse për ndryshe ajo që ju thonë se ndodh do të ndodhë.
Këtu nuk flasim që nxënësi mos të marri telefon, por që të lihet te dera e shkollës. Për rastet e nxënësve që kanë merak se mos e humbin telefonin, mund të bëhet një vend me çelës aty dhe të lihet, më pas futesh. Por këto janë gjëra teknike, por ajo që është me rëndësi është të bashkëpunojmë. Sepse shteti nuk e bën dot rolin e prindërit dhe as të mësuesit. Prindi është prindi, ndërsa mësuesi është mësuesi. Nuk e zëvendëson dot. Ajo që ne duhet të bëjmë është të kufizojmë miqësinë e fëmijëve tanë me këtë ‘shokun’ e tyre.
Ora e mësimit dhe koha në shkollë nuk duhet të ketë celularë. Duhet kufizuar edhe mësuesve, duhet të lihet te dera celulari. Në rast se ka një urgjencë mund të komunikojë, por vetëm kaq, s’ka për çfarë i duhet celulari, pasi ka mësues që rrinë gjithë kohën me celular në dorë“, tha ai.


