Partia e Lirisë së fundmi ka njoftuar se do të mbajë një protestë para Prokurorisë së Posaçme, pas arrestimit të Ilir Metës, kreut të partisë në fjalë.
Protesta u njoftua për në datën 6 dhjetor, në orën 12 para SPAK.
Ju kujtojmë se Ilir Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK, ndërsa ndaj tij rëndojnë tre akuza.
SPAK thotë se është provuar se si ish ministër i Tregtisë dhe Energjetikës Ilir Meta ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje.
E dyta SPAK numëron se Meta si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi si deputete e Kuvendit, në 2014 përdorën influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë midis dy kompanive.
E së fundmi SPAK numëron si abuzim edhe kontratën e lobimit në SHBA prej nga ku rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik.


