Ditën e sotme nga kontrollet e ushtruara nga policia nëpër shkolla, në çantën e një 13-vjeçari u gjet një biçak.
Së fundmi është zbardhur deklarata e 13-vjeçarit në fjalë, i cili mohon të ketë qenë në dijeni për këtë gjë.
13-vjeçari përpara policisë ka deklaruar se nuk kishte qëllime të këqija, por e harroi biçakun në çantë pa dashje.
Sipas tij, një ditë më parë ka qenë duke luajtur në ambientet e banesës së tij me biçakun dhe për një moment e ka futur në çantë pa vetëdije.
Pyetur nga policia edhe psikolog apo mësues në këtë shkollë ato kanë deklaruar se i mituri është tip i qetë, me sjellje të mirë dhe nuk ka patur ndonjëherë konflikte.
Pas ngjarjeve të njëpasnjëshme në qarkun e Korçës dhe jo vetëm policia ka shtuar kontrollet nëpër shkolla.
Kujtojmë se ishte policia ajo që njoftoi se 13-vjeçarit i ishte gjetur biçak në çantë, pas kontrolleve të kryera në një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Devollit.
Njoftimi i Policisë
Ditën e sotme, në bazë të informacionit të marrë nga një mësuese dhe nga ndihmësspecialisti i zonës, se në një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Devollit, një nxënës 13 vjeç mbante në çantë, një mjet prerës (biçak), menjëherë mësuesja, në prani të psikologes dhe stafit drejtues të shkollës, ka kryer kontroll në çantën e 13-vjeçarit.
Nga kontrolli i çantës u gjet mjeti prerës (biçak), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll.
Nxënësi, i cili nuk ka shfaqur më parë probleme në sjellje në shkollë, është duke u pyetur në prani të prindit, psikologut dhe punonjësit social të shkollës, nga specialisti për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Devoll. Të gjitha veprimet po kryhen në drejtimin e prokurorit.


