Radar.al raportoi më herët, në vijim të informacioneve mbi ngjarjen e rëndë që ka shokuar opinionin publik, se autori i vrasjes së Martin Canit, ka shpërndarë foto teksa duket se pozon “me krenari” pas krimit.
Ai në foto duket i ulur në sediljen e pasme të një mjeti. Në foto ai tregon edhe dorën e tij të gjakosur e të fashuar, pasi është lënduar gjatë sulmit.
Po ashtu kanë qarkulluar edhe foto të thikës me përmasa të mëdha, me të cilët dyshohet se ka kryer aktin e rëndë.

Por një tjetër video shqetësuese po qarkullon në rrjetet sociale, ku dy të mitur, flasin për ngjarjen.
Nga komunikimi mes tyre kuptohet që njëri prej fëmijëve është kushëriri i autorit të dyshuar të vrasjes, ndërsa fëmija tjetër thotë se njihej me të virtualisht, pasi më parë kanë qenë në një grup virtual.
Gjatë komunikimit ata shprehen se kushdo që i shan do ta bëjnë shembull, teksa jo vetëm që nuk dënojnë aktin e rëndë, por “duartrokasin” autorin e vrasjes së Martinit, vetëm 14 vjeç.
Kjo video duhet të shërbejë si një tjetër kambanë alarmi për të ndërgjegjësuar shoqërinë, prindërit, por dhe institucionet!

Duhet të shërbejë për të reaguar në kohë, për të marrë masa, apo edhe për të kontrolluar aktivitetin e të miturve në rrjetet sociale.
Video u publikua nga JOQ


