TIRANË– Vrasja e 14-vjeçarit, Martin Canit në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” ku mësonte është bërë temë debati sot gjatë seancës plenare në Kuvend. Deputetët e opozitës dhe maxhorancës kanë shkëmbyer akuza për situatën e rendit dhe sigurisë në vend.
Deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi nga deputetët një minutë heshtje dhe t’i mbanin kokat ulur, teksa fajësoi qeverinë.
“Doja ti kërkoja këtij Kuvendi një minutë heshtje, por do desha të caktonim një orar që të ishim të gjithë dhe të ulnim kokën të gjithë sepse fajin e ka kjo qeveri”, tha Zhupa.
Më tej ajo e ka cilësuar këtë një ngjarje të paralajmëruar, ndërsa kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
“Ishte një ngjarje më e rëndë se sa e kishim imagjinuar dje, sepse ishte e paralajmëruar. Ishte një ngjarje në oborrin e shkollës, ku ishin njoftuar mësues, drejtor, oficerë sigurie. Kishte që të premten që ndodhte dhe nuk reagonte e nuk bënte gjë askush. Uroj që ministrja Manastirliu, e cila nuk ndodhet këtu, të jetë duke shkruar dorëheqjen. Më vjen shumë keq që ne duhet të kthejmë kokën nga arsimi vetëm kur ndodh një rast i tillë. Ju flisnit këtu për paketën e sigurisë në shkolla, ku e çuat? Te thikat që hyjnë në shkolla, te hashashi dhe droga që hyjnë në shkolla? Kjo është paketa që marrin brenda çantës fëmijët tanë në shkolla.”-deklaroi Zhupa.
Ndërkohë Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla u shpreh se po përdoren për politikë dhimbja dhe vdekja. Ai foli për një qasje tjetër në perimetrin e sigurisë.
“Vaji, dhimbja, vdekja përdoren për politikë. Kërkuar përgjegjësisë për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla. Na duhet një qasje tjetër në perimetrin e sigurisë në shkolla dhe luftës kundër keqpërdorimeve të rrjeteve sociale. Sot kemi nevojë të bashkohemi për të kaluar propozimet e prezantuara prej kohësh. Duhen ndëshkuar maksimalisht ata që shkelin perimetrin e sigurisë, atyre që shpërndajnë lëndë narkotike pranë shkollave dhe ju keni qenë këtu kur detyrë të raportoja pranë jush numrin e lartë të personave të arrestuar se shisnin drogë pranë shkollave.”-tha Balla./Radar.al


