Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Darjel Sinës la pas shumë plagë të mëdha. Për ngjarjen tragjike kanë reaguar miq dhe të afërm të Sinës.
Një nga reagimet ka qenë dhe ai i avokatit të njohur Eduard Halimi, i cili shprehet se kishte pak kohë që e njeh Sinën por ai ishte një simbol i ndershmërisë dhe përkushtimit në drejtësi.
Reagimi i Eduard Halimit:
Me trishtim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të Darjel Sinës, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, në moshën e re 45-vjeçare, pas një beteje të vështirë me një sëmundje të rëndë.
Darjelin e kam njohur vonë, vetëm para 2 vjetësh si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, por ai ishte padyshim simbol i ndershmërisë dhe përkushtimit në drejtësi. Ai përfaqësonte një standard të lartë profesionalizmi dhe integriteti që frymëzonte respekt dhe besim te të gjithë ata që patën fatin ta njohin apo bashkëpunojnë me të. Në çdo vendim të tij, ai reflektonte drejtësi, kurajo dhe ndjeshmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të ligjit.
Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen e tij, për miqtë, kolegët dhe për sistemin e drejtësisë, që sot mbetet më i varfër pa praninë e tij.
Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjen e tij dhe të gjithë ata që e deshën dhe e vlerësuan.
U prehtë në paqe!


