Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, së fundmi i është përgjigjur një deklarate të kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti “Sude me syze”, gjatë bashkëbisedimeve të tij me pensionistët.
Në një intervistë për News24, Qori tha se për të deklarata e kryeministrit nuk është sharje, por një bullizim për njerëzit me syze.
“Rama duket në nivelin e një fëmije në klasë të pestë që do të bullizojë shokët e klasës”, tha ai, ndërsa shtoi “puna e Sudes i shkon më shumë kryeministrit Rama”.
“Më vjen keq që bie niveli i diskutimit nga një kryeministër. Nuk është sharje për mua, por një bullizim për njerëzit me syze. Mbase dhe për djalin e zotit Rama që ka syze. Zoti Rama në 2018 ka bullizuar përsëri aftësinë time për të parë. Me sa duket është në nivelin e një fëmije në klasë të pestë që do të bullizojë shokët e klasës. Ka njerëz që vuajnë stigmën, unë jo. Dhe të dëgjojnë kryeministrin që shan një njeri për aftësinë e tij për të parë. Unë e di që Sudja, Xhaferri kanë qenë ata që merrnin gjithçka dhe nuk iu jepnin gjë shqiptarëve. Kush është ai që merr gjithçka dhe nuk jep asgjë. Kështu që kjo puna e Sudes i shkon më shumë z. Rama. I keni parë dhe këto bankat me mikrokredi, kur kanë ekzistuar, në kohën e z. Rama”, tha Qori.
Gjatë fjalës së tij, Qori përmendi dhe pensionet, ku u shpreh se pensioni i qytetarëve shqiptarë që dalin sot në pension është 15% më i ulët se pensioni mesatar, pasi ka më pak vite të siguruara.
Qori shtpoi se është përgjegjësi e qeverisë që ka lejuar informalitetin në punë, duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet me numrin më të madh të njerëzve, që shumë vite punë nuk i ka të regjistruara askund.
“Sot, pensioni i atij që del në pension është 15% më i ulët se pensioni mesatar, pasi ka më pak vite të siguruara. Sigurimi është i detyrueshëm dhe ta paguan punëdhënësi, nuk kanë funksionuar shteti dhe punëdhënësi, dhe fajin e mban punëmarrësi. Është përgjegjësi e qeverisë që ka lejuar informalitetin në punë, që prej 11 vite nuk ka bërë asgjë për ta luftuar”, tha ai.
Ndër të tjera ai u shpreh se punëtorët shqiptarë që punojnë jashtë do të jenë një kategori që nuk e përfitojnë dot pensionin, si në vendin ku punojnë, ashtu edhe në Shqipëri, pasi nuk i plotësojnë dot vitet minimale të marrjes së pensionit.


