Opozita mban këtë të hënë 7 tetor protestën kombëtare të thirrur me kauzën e rrëzimit të qeverisë aktuale dhe vendosjes së një qeverie teknike deri në zgjedhjet e 2025.
Organizatorët kanë deklaruar se kjo do të jetë protestë ndryshe nga të tjerat.
Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, deputetja Erisa Xhixho duke konfirmuar pjesëmarrjen e saj sot tha se PL ka mbështetur çdo protestë të qytetarëve.
Ajo deklaroi se zemërimi i opozitës arriti kulmin me rrëzimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin “Xhaçka” si dhe me burgosjen pa ligj të deputetit të PD-së Ervin Salianji.
“Nuk do ketë fjalime sepse qytetarët nuk kërkojnë fjalime, por aksione të vazhdueshme për të kërkuar llogari ndaj kësaj qeverie.

Rasti i dënimit të kolegut tonë Ervin Salianji padyshim që mbushi kupën e arrogancës së kësaj qeverie.
Kemi dënim pa ligj. Kallëzimi i rremë publik për të cilën u dënua Salianji nuk ekziston në jurisprudencën penale.
Kur i bëhet kjo një deputeti që nuk është në burg për afera korruptive, por për një kallëzim në detyrën e tij si deputet dhe kur i ndodh kjo një deputeti, mund t’i ndodhë çdo qytetari”, tha Xhixho.
Ajo tregoi se përfaqësuesit e PL do të mblidhen te selia e kësaj force dhe më pas do t’iu bashkohen protestuesve.
“Do mblidhemi te PL dhe më pas do i drejtohemi sheshit. Do ketë një përqendrim më të madh para kryeministrisë. Jemi në bisedime me PD për mënyrën e vendosjes së njerëzve, për thirrjet. Qytetarët duhet të protestojnë masivisht për të thënë që kanë zë. Besoj se do ketë një mbështetje masive të protestës”, u shpreh deputetja e PL.


