Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço përgjatë një interviste për emisionin “Të pashoq” bëri deklaratën e fortë, teksa u shpreh se përgjimet e SKY po përdoren për t’i bërë shantazh shumë njerëzve, jo vetëm në drejtësi e politikë.
Duke përmendur rastin e demokratit Gazment Bardhi, ai thotë se po përdoret e njëjta metodë kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje kjo punë ka arritur deri në Kushtetuese.
“Ka shumë kohë që për Sky Ecc ka nisur një fushatë shantazhi, jo për politikanë, por për njerëzit që inkurajojnë SPAK-un dhe organet që ta çojnë deri në fund këtë proces dhe të çojë pas hekurave personat që kanë bërë krime. Ka nisur shantazhi te prokurorët, gjyqtarët, po vijon deri te Kushtetuesja, nëse duhet shpallur apo jo antikushtetues. Bëhet përmes nxjerrjes së faksimileve ”fake” sikur ti je i përfshirë. Këto janë që njerëzit të mbyllin gojën dhe të lejojnë grupe të caktuara të fitojnë mbi ligjin, mbi të drejtën, mbi gjykatat. Ka pasazhe që nga ajo që kam parë unë, sepse janë të shpërndarë në kohë dhe u janë drejtuar shumë individëve… nuk flas për zotin Bardhi, për të do flasë SPAK. Nuk janë të atij formati që ne kemi parë në seancat gjyqësore. Shumë lehtë shihet se si i kanë ndryshuar nga pikëpamja kompjuterike”, thotë ai.
Ai tregon se ka qenë personalisht në SPAK dhe ka parë aty dosjet deri në tavan për këtë çështje.


