Delegacioni i Bashkimit Europian ka zgjedhur që të mos e komentojë idenë e kryeministrit Edi Rama për të krijuar shtetin e bektashinjve në Tiranë.
Nëpërmjet një reagimi zyrtar, delegacioni i BE thekson se e respektojnë aleancën fetare, por nuk kanë kompetencë për rregullimin e çështjes së besimit.
“Nuk kemi komente në këtë fazë. Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është e sanksionuar në nenin 10 të Kartës së BE-së për të drejtat themelore. Në përgjithësi, BE-ja mbështet tolerancën dhe dialogun ndërfetar. BE-ja nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare,” thuhet përgjatë reagimit.
Kujtojmë se ishte kryeministri Edi Rama ai që zbuloi pak ditë më parë planin se t’u japte anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.
Rama përgjatë intervistës për medien prestigjoze të huaj “The New York Times” tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
Kreu i qeverisë shprehet se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
Jo të pakta kanë qenë dhe reagimet nga të tjerë për këtë çështje ku vlen të theksohet reagimi i Sazan Gurit i cili u dakordësua me këtë vendim si dhe reagimi nga vetë Selia Botërore e Bektashinjve.


