Reperi amerikan Sean ‘Diddy’ Combs u arrestua të hënën, konfirmoi Zyra e Prokurorit të SHBA në New York City.
Combs u arrestua në hotelin Park Hyatt. Një përfaqësues i reperit tha se ai u gjend i befasuar nga arrestimi, teksa shtoi se reperi kishte disa javë që jetonte në hotel.
Prokurori i SHBA Damian Williams konfirmoi në një deklaratë se të hënën në mbrëmje, agjentët federalë arrestuan Combs bazuar në një aktakuzë të ngritur nga Distrikti Jugor i Nju Jorkut.
Zyrtarët kishin bastisur më herët shtëpitë e producentit muzikor në Los Angeles and Miami, si pjese e hetimeve për abuzime të rënda seksuale, teksa akuzat ndaj tij nuk ishin ngritur ende zyrtarisht deri sot.

Në fillim të vitit në media u publikua gjithashtu video ku shihej ‘Diddy’ që rrihte brutalisht ish-të dashurën Cassie Ventura në një korridor hoteli.

Ai u paraqit sot paraprakisht në gjykatën e Manhattan ku prokurori tha se Sean “Diddy” Combs është një “abuzues serial dhe pengues i drejtësisë”, teksa kërkonte paraburgim për muzikantin e akuzuar për abuzime të shumëfishta me femra të dobëta ose të pambrojtura.
Prokurori i tha më tej gjykatëses Robyn F. Tarnofsky se artisti është një “rrezik ekstrem për komunitetin” pasi ka kërcënuar dhe ka tentuar të japë rryshfet ndaj dëshmitarëve te krimeve.

Asistent-prokurori tha se Combs “ka shumë precedentë të pengimit të kursit të drejtësisë” – siç është tentativa e rryshfetit të rojes së hotelit të videos skandaloze të sulmit.
Combs është përballur me një valë padish, një e fundit javën e kaluar – duke e akuzuar atë për sulme seksuale dhe sjellje të pahijshme që nga nëntori, kur ish e dashura Casandra Ventura e paditi atë në gjykatën federale, duke e akuzuar atë për vite të tëra abuzimi fizik dhe seksual.


