Reperi Feronit Shabani, i njohur si Fero, nëpërmjet ca posteve në profilin e tij në Instagram, ka kërkuar ndihmën e mediave për të gjetur vajzën e tij.
Në një postim të drejtpërdrejtë, ai u shpreh se është në një gjendje të rëndë emocionale dhe se ndjehet se po i bëhet padrejtësi nga autoritetet ligjore, veçanërisht Gjykata e Gjilanit.
“Sot jam i thyer emocionalisht dhe jam në depresion të rëndë. Po më bëhet një padrejtësi e madhe nga organet e zbatimit të ligjit,” shkroi Fero në postimin e tij.
Media “Compas” reagoi menjëherë,për rastin e Feros me të cilin realizoi një intervistë për këtë pjesë. Gjatë bisedës, ai deklaroi se vajza e tij është rrëmbyer.
Ai theksoi se ka kohë që përballet me vendime të padrejta nga gjykata dhe ka vështirësi në të drejtën për të parë vajzën e tij.
“Unë si prind i vajzës time ka kohë që më bëhet padrejtësi si në aspektin e vendimeve, po ashtu edhe në aspektin e mospërfilljes dhe të asaj që vetë Gjykata ka marrë vendim dhe ka kohë që pres ta shoh vajzën time. Befasohem se vajza e ime udhëton nëpër shtete të ndryshme pa lejen time dhe pa u njoftuar se në cilin vend ajo gjendet. Dhe më tragjike ka qenë ndodhia e sotme, ku unë e konsideroj se vajza më është rrëmbyer në një lloj mënyre, për shkak se enti social më ka njoftuar se në orën 4:00 të shkoja të merrja vajzën e në momentin që kam shkuar në orën e caktuar, që ata më kanë caktuar, nuk më japin asnjë detaj se ç’drejtim ka marrë vajza. Vetëm më thonë se vajza ka ikur” u shpreh Fero.

