Një ngjarje e paprecedentë u regjistrua sonte në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Një avion i Air Albania që udhëtonte drejt Stambollit u detyrua të kthehej sërish në pistë pasi njëri nga pasagjerët tentoi të hapte derën e emergjencës.
Avioni kishte pak minuta që ishte ngritur, ndërsa burime thanë për Top News, se mes udhëtarëve ishte dhe një shtetas indian që po deportohej. Duke përfituar nga situata ai u përpoq të hapte derën e emergjencës çka shkaktoi panik të madh në radhët pasagjerëve. I ndodhur në këto kushte piloti u detyrua të kthehej sërish në Rinas për të rregulluar derën.
Kjo foto e siguruar nga Top News, tregon momentin kur pasagjerët zbresin nga avioni të terrorizuar si pasojë e veprimeve të indianit.

Autoritetet pritet që të japin një shpjegim lidhur me situatën e ndodhur brenda bordit të avionit dhe për të zbardhur më shumë detaje. Ndërkohë mësohet se avioni do të riniset drejt Stambollit pasi të rregullohet dera e emergjencës.


