Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se planifikon të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York këtë vjeshtë, pavarësisht kërcënimeve të mëparshme të kryebashkiakut të qytetit, Zohran Mamdani, për ta arrestuar.
Javën e kaluar, Mamdani u tërhoq nga ky qëndrim, duke pranuar se nuk kishte kompetencat ligjore për të arrestuar Netanyahun në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, gjykata më e lartë ndërkombëtare për krimet e luftës.
Në një intervistë për Fox News të dielën, Netanyahu tha se nuk ishte “i shqetësuar” nga premtimi i mëparshëm i Mamdanit dhe e akuzoi atë se “po nxit urrejtje”.
“Ai duhet të jetë kryebashkiak i të gjithë banorëve të New York, hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve, të gjithëve, por po përpiqet të vërë një grup kundër tjetrit,” deklaroi Netanyahu.
Netanyahu iu referua edhe dy sulmeve me thikë që ndodhën të enjten në New York, ku një i dyshuar plagosi një burrë hebre dhe një burrë me origjinë aziatike, vetëm disa blloqe larg njëri-tjetrit.
Sipas policisë, i dyshuari bërtiti shprehjen “Allahu Akbar” gjatë kryerjes së sulmeve. Ai është akuzuar për krime të motivuara nga urrejtja ndaj secilës prej viktimave.
Të dy të plagosurit u mbijetuan sulmeve, të cilat u dënuan nga drejtuesit e komuniteteve hebraike dhe aziatiko-amerikane të qytetit.
Pas këtyre ngjarjeve, Netanyahu tha se hebrenjtë e New Yorkut “janë të frikësuar në këtë moment”.
Mamdani, një mbështetës i të drejtave të palestinezëve, e bëri kundërshtimin ndaj operacionit ushtarak izraelit në Gaza një nga shtyllat kryesore të fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar. Në një fjalim javën e kaluar, ai e quajti Netanyahun “kriminel lufte”.
Si pjesë e këtij qëndrimi gjatë fushatës, Mamdani premtoi se do të zbatonte urdhër-arrestin e vitit 2024 të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj Netanyahut, në të cilin kryeministri akuzohet për kryerje të krimeve të luftës në Gaza.
Izraeli i ka mohuar akuzat për krime lufte në Gaza, ndërsa Netanyahu i ka cilësuar ato si “të pabaza”.
Ushtria izraelite hyri në Gaza pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023. Rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi dhe të dhënat e së cilës konsiderohen të besueshme nga OKB-ja, mbi 73.000 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, përfshirë më shumë se 21.000 fëmijë.
Javën e kaluar, pasi The New York Times e pyeti Mamdanin për premtimin e tij për arrestimin e Netanyahut, ai tha se administrata e tij kishte shqyrtuar ligjin dhe kishte arritur në përfundimin se “nuk kemi autoritet të pavarur ligjor për ta zbatuar këtë urdhër-arrest”.
Megjithatë, Mamdani i bëri thirrje qeverisë federale amerikane që ta arrestojë kryeministrin izraelit, duke deklaruar: “Benjamin Netanyahu nuk është i mirëpritur në qytetin e New Yorkut.”


